RTSH Sport Live

Vllaznia i kthen në traditë trofetë

  • 01/06/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia i kthen në traditë trofetë
Të rinjtë e Luan Zmijanit bëhen fitues të Kupës së Shqipërisë, mundin Tiranën në finale

Tjetër Kupë për Vllazninë në futboll, ndërsa tradita e trofeve, që ka nisur të hënën në mbrëmje në “Arenën Kombëtare” me ekipin e parë, ka vazhduar me të rinjtë e Luan Zmijanit. Pikërisht në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Vllaznia ka mundur Tiranën, 1-0. Ka vlejtur goli i Delajt, të cilin shkodrani e ka shënuar me një perfeksion për t’u marrë shembull në të 23’, ndërsa topi i tij ka përfunduar në të majtë të Kozit.

 Në përgjithësi ka qenë një pjesë e parë e dobët, ndërsa Tirana nuk ka mundur të barazojë në të 31’ edhe pse porta shkodrane ishte e boshatisur. Pak përpara përfundimit të pjesës së parë provon dhe Avdiu, kjo në të 40’, por ka pritur Kaca. Pjesa e dytë ka nisur me zëvendësime dhe Tirana ushtron presion, ndërsa tenton ta gozhdojë në zonën e vet Vllazninë. Kaca i thotë “jo” gjuajtjeve të Stafës në të 56’ dhe Pasmaçiut në 65’.

Madje Sina mund të kishte barazuar në të 73’, teksa ka qenë i vetëm me Kacën, por ka larguar Puci. Në të 75’ Vllaznia mund të kishte dyfishuar, por krosimi i Delajt nga e majta nuk është shfrytëzuar nga Filipi dhe Alivoda. Madje kanë pretenduar për penallti pas pengimit të Filipit, por që nuk ka qenë e tillë për Dodën.

Fundi i lojës ka qenë për Tiranën, ndërsa Sina në të 78’ dhe në minutën e parë shtesë është frenuar nga portieri Kacaj. Dhe kështu në vërshëllimën e fundit të Albert Dodës, Vllaznia është fituese e Kupës së Shqipërisë për të rinj.