RTSH Sport Live

Vllaznia, Brdariç për Partizanin: Ndeshje e rëndësishme… si gjithë të tjerat

  • 20/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Vllaznia, Brdariç për Partizanin: Ndeshje e rëndësishme… si gjithë të tjerat
Trajneri i skuadrës shkodrane, Thomas Brdariç ka analizuar sfidën me Partizanin

Një mundësi për të treguar se sa vlen. Vllaznia do të ketë të premten një provë të vështirë, teksa do të zbresë në fushën e “Air Albania Stadium” për tu përballur me skuadrën kryesuese, Partizanin, e premte ora 17:00. Trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç, pavarësisht rëndësisë, momentin në të cilin zhvillohet kjo sfidë, e ka konsideruar një ndeshje si gjithë të tjerat.

“Është një ndeshje e rëndësishme, ashtu si të gjithë ndeshjet e tjera, objektivi ynë janë tri pikët. Nuk kemi asgjë për të humbur, duam ta fitojmë këtë ndeshje. Ne e kemi fituar kampionatin tonë, pasi kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Në sfidën me Partizanin do të shkojmë për fitore. Unë e vlerësoj ekipin në disa aspekte. Bëjmë një punë profesionale për të marrë atë që duam dhe për të qenë të suksesshëm. Nesër luajmë ndeshjen e 35-të të kampionatit, kemi investuar shumë, jemi të kënaqur me pozicionin që kemi. Duhet ta kemi të qartë, na pret një betejë e madhe dhe e vështirë, por duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim të mirë. Kemi mësuar shumë nga ky sezon”.

“Do të përballen dy ekipe që kanë nga 62 dhe 60 pikë, është diçka e veçantë. Mendoj se të dyja skuadrat janë të forta, ka rëndësi të madhe të shfrytëzosh potencialin tënd. Do të jetë një duel i balancuar, kush do ta meritojë dhe të ketë më tepër fat do të marrë tri pikët. Ekipi im është i përgatitur mirë, e dimë se si duhet të luajmë nesër. Po kalojmë një moment të mirë, do të kërkojmë të marrim maksimumin”.