RTSH Sport Live

Vlen Milot Rashica për të mundur Maltën

  • 04/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Vlen Milot Rashica për të mundur Maltën
Kosova gjen fitoren e dytë në ndeshjet miqësore, tani duelet me Guinenë e Gambian

Tjetër fitore për Kosovën në ndeshjet miqësore të qershorit. Këtë herë të besuarit e Bernard Shaland kanë mundur Maltën me rezultatin e ngushtë 2-1. Një ndeshje, e cila është luajtur në fushën asnjanëse të Klagenfurtit në Austri, ndërsa Shaland, në krahasim me ndeshjen ndaj San Marinos, ka bërë ndryshime në formacion.

Milot Rashica është titullar që nga minuta e parë. E po kështu portieri i Tiranës, Bekaj, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ndeshje as Saimir Ujkani e as Vedat Murriqi, shënuesi i katër golave ndaj San Marinos. Milot Rashica do të shënonte në të 17’. Por në fundin e pjesës së parë për maltezët do të barazonte Dimesh, pikërisht në minutën e parë shtesë.

Dhe vetëm gjashtë minuta nga fundi i lojës, sërisht Milot Rashica e Kosova gjen fitoren e dytë brenda katër ditëve. Tanimë janë dhe dy ndeshje miqësore për t’u luajtur nga të besuarit e Shaland. Më 8 qershor në ora 14:00 ndaj Guineas dhe më 11 qershor në ora 19:00 ndaj Gambias.

Dy miqësore, të cilat do të zhvillohen në Turqi, kurse më 2 shtator, në kuadrin e kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022”, Kosova do të jetë në transfertën e Gjeorgjisë. Por deri më tani gjithçka po shkon mirë,  gjashtë gola të shënuar dhe dy të pësuar në dy ndeshje miqësore, të dyja të përfunduara me fitore.