RTSH Sport Live

Teuta, Martini para Apolonisë: Na ka ardhur fati në dorë

  • 25/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Teuta, Martini para Apolonisë: Na ka ardhur fati në dorë
Trajneri i Teutës, Edi Martini ka analizuar sfidën e fundit të kampionatit në një konferencë për shtyp

Teuta, 90 minuta larg titullit dhe pengesa e fundit e ka emrin Apolonia, një skuadër pa asnjë objektiv në këtë moment të fundit të Kategorisë Superiore. Trajneri i durrsakëve është i qartë, ka fatin në dorë dhe nuk mund të bëjë asnjë gabim përballë fierakëve.

“Është ndeshja e fundit e sezonit, do skuadër e ka provuar vendin e parë të paktën në dy javë, më pas një tjetër. Jemi të mobilizuar që në këtë ndeshje të fundit të shpallemi kampion. Ne do të bëjmë lojën tonë, të fitojmë ndeshjen, por sigurisht që vëmendje do të ketë edhe në Shkodër. Gjithsesi, mendoj se në këto momente na ka ardhur fati në dorë, lojtarët e dinë se sa e rëndësishme është kjo sfidë. Shpresojmë të japim më të mirën”.

“Brdaric? Është e vërtetë që jemi takuar, këto janë biseda trajnerësh, njëri kërkon të dekurajojë tjetrin. Është një lojë shahu. Laci ka bërë një kampionat mjaft të mirë, por dhe Apolonia, me ata lojtarë të rinj, është paraqitur mirë. Është një ndeshje që duhet ta përgatisim për të gjitha skenaret. Duket e lehtë në letër, por ne duhet ta konsiderojmë si një sfidë përballë një kundërshtari që luan për titull”.

“Tifozët në stadium? Do doja që të ishin të pranishëm gjatë gjithë sezonit, jo vetëm nesër, futbolli për ata luhet, por nesër është një ditë e shënuar. Të realizojmë objektivin dhe të festojmë së bashku”, ka deklaruar Martini