RTSH Sport Live

Teuta, Martini: Nuk doja ‘fotofinish’ me Vllazninë

  • 27/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Teuta, Martini: Nuk doja ‘fotofinish’ me Vllazninë
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH

Trajneri i Teutës, Edi Martini, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ka bërë një analizë të rrugëtimit në këtë sezon të skuadrës durrsake, pa fshehur emocionet e fitimit të titullit.

“Është gjithçka e bukur. E vetmja gjë që nuk do doja në këtë fund kampionati është ‘fotofinishi’ me Vllazninë, por ky është sporti, ky është futbolli. Ajo që na ka dhënë sukses mendoj se është njohja e ekipit në detaje. Nga ndeshja e parë në të fundit e kemi njohur shumë mirë veten se sa kapacitet kemi. Jemi përkushtuar çdo ditë në stërvitje. Kemi bërë lojën tonë, modelin e lojës tonë, duke mos i lejuar ekipet e tjera të bëjnë lojën e tyre. I kemi njohur shumë mirë forcat tona, kjo ka qenë arma kryesore që kemi dalë kampion”.

“Dyshime? Jo nuk kam patur. Po të shikojmë rezultatet që kemi arrit, asnjë skuadër nuk na ka vënë për poshtë. Kemi barazuar dy herë me Vllazninë në ndeshje direkte, kemi barazuar tri herë me Partizanin, me Tiranën e Kukësin kemi rezultate pozitive. E vetmja humbje është me Partizanin këtu, ndërsa në tri ndeshjet e tjera kemi dominuar. Në barazimet që kemi marrë, kemi bërë lojë shumë të mirë, por fati nuk ka qënë me ne. Me përjashtim të ndeshjes me Vllazninë në Shkodër, ku jemi paraqitur keq, në asnjë ndeshje tjetër kundërshtari nuk na ka vënë për poshtë”.

“Një peng? Do kisha preferuar të përfundonim kampionatin 4 apo 5 javë përpara, sepse ka qenë shumë stresante. Çdo ditë stërvitje me ato uljet e ngritjet tona, ka qënë një periudhë sfilitëse dhe stresuese. Titullin ia dedikoj familjes time në radhë të parë, sepse edhe ata i kam stresuar. Kur nuk kam sukses në punën time, e shfaq edhe tek familja. Gjithashtu ua dedikoj edhe djemëve të ekipit, që kanë qënë të mrekullueshëm. Kam hequr edhe një borxh me presidentin Hasanbelliu, i cili më mori para dy vitesh dhe besoj se ia kam shpërblyer”.