Rezultate surprizë në katër ndeshje të Kategorisë Superiore, Tirana bie përballë Teutës, Partizani gjen fitoren në sfidën me Kukësin, barazim mes Laçit dhe Kastriotit, Apolonia merr pikën e parë
Skuadra kampione e Tiranës është thyer në shtëpi(në fakt ndeshja është luajtur në Pogradec) përballë Teutës së Durrësit. Gjithçka është vendosur nga një gol i Lorenco Vilës në pjesën e parë të takimit. Është pikërisht minuta e 32-të, që i ka dhënë mundësinë skuadrës bregdetare të ekzekutojë një goditje dënimi, e cila është kthyer në gol pas gjuajtjes me kokë të Vilës.
Partizani ka arritur të gjejë suksezin në përballjen me Kukësin duke marrë një fitore 2-0. Pas një pjese të parë pa shumë histori, të kuqtë kanë arritur të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 60-të me anë të Kardozo,i cili ka goditur saktë me të majtën brenda zonës së verilindorëve. Goli i dytë është shënuar nga Solomon në minutën e 88-të, i cili, i pashqetësuar mes mbrojtjes së skuadrës kundërshtare, e ka dërguar topin në rrjetë, 2-0.
Laçi është befasuar në shtëpi nga Kastrioti, në një sfidë që është mbyllur në barazim 1-1. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Mustës në minutën e 48-të. Atëherë kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar, është Plaku që ka shënuar për krutanët, minuta e 90+2 dhe barazim 1-1.
Apolonia ka arritur të marrë pikën e parë në këtë edicion, duke barazuar 2-2 në shtëpi përballë Bylisit. Fierakët e nisën mirë sfidën duke shënuar dy herë, Haxhiu 7’ dhe Mihana 18’. Por Bylis arriti të reagojë duke barazuar me dy gola të Ndrecës, 27’ dhe 69’.