RTSH Sport Live

Shqipëria barazon me Uellsin, asnjë gjuajtje në portë

  • 05/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria barazon me Uellsin, asnjë gjuajtje në portë
Kuqezinjtë kanë barazuar 0-0 në miqësoren me Uellsin, të luajtur në Kardif dhe që erdhi drejtpërdrejt në RTSH 1

Shqipëria nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 0-0 në miqësoren e luajtur në Kardif përballë Uellsit, që për sportdashësit erdhi  drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Një pjesë e parë e mirë për të besuarit e trajnerit Reja, që kanë treguar karakter në lojën e tyre përballë një kundërshtari me emër, por që kanë vuajtur në metrat e fundit, për të vënë në rrezik serioz portierin e uellsianëve.

Pas një nisje të mirë, rasti i parë i rrezikshëm do të vijë në minutën e 17-të me anë të sulmuesit Manaj, që kishte dhe fatin me vete në momentin që u gjend zbuluar para portës kundërshtare, por goditja e tij përfundoi mbi traversë.

Në pjesën e dytë, Uellsi mori frenat e lojës në dorë dhe krijoi më shumë volum loje. Nuk munguan dhe rastet e rrezikshme, ku vlen të përmendet ai i minutës së 73-të me anë të Uilliams, por Selmani u tregua në lartësinë e duhur për të evituar rrezikun.

Pavarësisht se ishte një miqësore, nuk kanë munguar dhe momentet e tensionit mes lojtarëve, ku në një rast u përfshi edhe trajneri Reja. Por ajo që vlen të theksohet është fakti se kuqezinjtë në këtë miqësore vuajtën shumë në fazën sulmuese, nuk arritën në asnjë moment që të godisnin në kuadrat.

UELLS-SHQIPËRI 0-0

UELLSI – (4-4-2): Henesi; Ampadu, Mefam, Dejvis, Uilliams; Levit, Alen, Ramsi, Norrington-Dejvis; Bruks, Roberts. Trajner: Rob Pejxh.

SHQIPËRIA – (3-5-2): Selmani; Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti; Doka, Çekiçi, Bare, Abrashi, Lenjani; Balaj, Manaj. Trajner: Edoardo Reja.