RTSH Sport Live

Shkumbini, kampion i Kategorisë së Dytë

  • 29/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Shkumbini, kampion i Kategorisë së Dytë
Në finalen e titullit në “Elbasan Arena”, peqinasit mundën Maliqin, 1-0

Shkumbini është kampion i Kategorisë së Dytë për sezonin 2020-2021, ndërsa në finalen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka mundur Maliqin, 1-0. Ka mjaftuar goli i brazilianit Barboza Dos Santos në të 9’, që peqinasit të dilnin fitues nga kjo sfidë, atje ku si kampionë janë përfitues të 20 milion lekëve të vjetra si shpërblim nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Në pjesën e parë Xaka në dy momente për Maliqin nuk ka qenë i saktë në gjuajtje, kjo në të 16’ dhe në të 25’. Shkumbini përqëndrohet tek kundërsulmi, ndërsa mund të kishte përfituar në të 37’ me Dos Santos Barbozën dhe në të 38’ me Lamçen, por pa rezultat. Në pjesën e dytë në të 57’ ka patur pretendim për penallti për Shkumbinin, pas prekjes së topit me dorë në zonën maliqare, por që nuk ka qenë e tillë për ndërkombëtarin Jorgji.

Momenti më i mirë për Maliqin për të barazuar ka qenë në të 59’, teksa godet Dako e Ajazi grushton në goditje këndi. Madje ka provuar Xaka në të 66’ dhe në të 70’ Trëndafili është i pafat, ndërsa e largon topin te vija “fatale” Ferhati. Në 15 minutat e fundit ka një rizgjim të Shkumbinit. Provon Lamçja në të 74’ dhe në të 76’, por nuk ka shënjestrën e duhur.

Më pas Dos Santos Barboza bllokohet nga Lamellari. Në të 87’, braziliani nuk ka shënjestrën e duhur, kurse në fund shërben për Mustafajn, por ky i fundit nuk gjen rrjetën. Për Maliqin duhet nënvizuar dhe gjuajtja e Dervishit, në të 81’, por Ajazi ka grushtuar dhe në vërshëllimën e fundit të Jorgjit, Shkumbini nis festën e titullit kampion të Kategorisë së Dytë, ndërsa së bashku me Maliqin do të jetë në Kategorinë e Parë për sezonin 2021-2022.