RTSH Sport Live

Sa pak kushton Superliga…!

  • 05/06/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Sa pak kushton Superliga…!
Nga marrëveshja për sponsorin e emrit, klubet përfitojnë “thërrime”

Kategoria Superiore, që prej sezonit të ardhshëm hedh një hap që e fut në erën e vertetë të marketingut agresiv ku sponsorat kanë një vend të vecantë në gjithë evenimentin dhe vetë lojën e futbollit. Nëse kampionatet perëndimore dhe jo vetëm, prej vitesh tashmë e shoqërojnë emrin e ligës me një sponso zyrtar, Shqipëria e bën debutimin në vitin 2021.

Liga Profesioniste e Futbollit njoftoi arritjen e marrëveshjes me një kompani nga e cila do të përfitojë rreth 180 milionë lekë të vjetra në sezon për tre sezonet e ardhshme. Marrëveshje që vjen pasi u filtruan shumë oferta në një proces relativisht të gjatë që ka kërkuar kohën e tij por me një handikap në pamje të parë.

Kompania fituese ka kaluar në filtrat e përzgjedhjes së Ligës ku anëtar është edhe presodenti i një klubi anëtar që në këtë rast është Apolonia. Liga ka bërë gjithashtu me dije se shuma në total është 54 milionë lekë të reja, një shumë modeste krahasuar me volumin e ndeshjeve dhe shpenzimet e mëdha që detyrohet të përballojnë klubet pjesëmarrëse në një sezon të vetëm që ndahet mes 36 javëve ku 18 prej tyre janë në transferta.

Me një llogari të përafërt, 18 milionë lekë është shuma e përfituar në cdo sezon ku minimalisht Liga për shpenzimet e veta përfshirë paga punonjësish apo shpenzime të tjera ku përfshihen pagesat e qerasë apo konsumit të energjisë, në një sezon mund të shpenzohen 5 milionë lekë apo dicka më shumë dhe për llogari të klubeve mbeten 12 apo 13 milionë që pjestuar për një ndeshje mund të variojnë nga 38 deri në 40 mijë lekë.

Një shumë simbolike me të cilën 10 klubet e Superiores nuk mund të mbulojnë pothuajse asnjë shpenzim jetik. Emri i sponsorit që do të lakohet përgjatë 3 sezoneve, në parim premton më pak madje se sa një sponsor stadiumi. A vlen kaq pak Kategoria Superiore? Tregu është i lirë dhe shpesh herë cmimet produkteve ua vendos konkurrenca.

Në vendimin e parë të madh që pas përjashtimit të RTSH nga e drejta për të blerë përmbledhjet e Superiores, Liga ka lëvizur me centtimetra në kuadrin e madh të marketingut duke fituar vetëm 4 milionë lekë më shumë se sa vlera fillestare e ankandit.