RTSH Sport Live

Rubrika Sportive në RTSH… Kronikat, analiza dhe moviola. Ora 22.30

  • 07/02/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Rubrika Sportive në RTSH… Kronikat, analiza dhe moviola. Ora 22.30
Përveç të ftuarve të përhershëm, sot janë edhe Elvis Plori, Valentino Murataj e Dejvi Bregu

Java e 18-të e Kategorisë Superiore dhe ngjarjet që prodhoi, pritet të jetë kryefjala e emisionit Rubrika Sportive në RTSH, sot duke filluar nga ora 22.30. Në drejtimin e Hygerta Sakos dhe me praninë e Shkëlqim Muçës, Fatmir Mënerit dhe Fation Shehut, do analizohet gjithçka nga kjo javë ku gaboi Vllaznia dhe ndjekësit e saj kanë përfituar.  

Pikërisht për këtë moment jo të mirë të shkodranëve do të flasë një prej trajnerëve të Vllaznisë, Elvis Plori. Kryesuesit e kampionatit kanë shënuar vetëm një gol në 3 ndeshjet e fundit dhe krahu i djathtë i Bërdariç do të sqarojë gjithçka në studio.

Partizani është vetëm 6 pikë larg shkodranëve dhe një prej protagonistëve të këtij ekipi ndeshjet e fundit ka qënë padyshim Valentino Murataj. Mesfushori është kthyer për herë të parë si rival në Ballsh dhe do shpreh emocionet që kishte në këtë përballje.

Edhe Teuta është kthyer tek fitoret dhe një prej lojtarëve më të spikatur mbetet Dejvi Bregu që sot në Rubrikën Sportive do të sqarojë edhe çështjen e golit të munguar tek durrsakët dhe pse vuan kaq shumë Teuta për të patur vazhdimësinë.

Nuk do të mungojnë edhe kronikat dhe analizat për fitoren e radhës së Tiranës ndaj Skënderbeut dhe suksesin e Kastriotit ndaj Kukësit. Por edhe moviola do të ketë rastet e saj të diskutuara.

Në fakt, Rubrika do të hapet me një homazh për Milutin Kërçiç, një prej ikonave të futbollit korçar që sot është ndarë nga jeta. Gjithçka, sot në orën 22.30 në RTSH 1 HD dhe RTSH Sport.