RTSH Sport Live

Presidenti që riktheu “lokomotivën” në shina

  • 27/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Presidenti që riktheu “lokomotivën” në shina
Triumfi i Teutës është fituesi i vërtetë i një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm

22 vite pritje për të fituar titullin e parë. Edmond Hasanbelliu, presidenti më jetëgjatë i Kategorisë Superiore, ose sic thirret nga të gjithë, Moni, është sot fituesi i vërtetë i këtij sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, disi i ngjashëm me rrugëtimin e Teutës së tij që prej vitit 1999 kur mori drejtimin dhe deri në 26 Majin e vitit 2021 kur bashkë me ekipin çoi në qiellin e Durrësit trofeun e lakmuar. Me shumë se dy dekada sakrifica dhe përkushtim për një titull që erdhi në mënyrën me të çuditshme të mundshme pas bojkotit të fillim  sezonit, stadiumeve bosh dhe një beteje surreale në 3 javët e fundit por për presidentin Hasanbelliu, të gjithë rivalët kanë treguar cilësi dhe shpirt sportiv.

“Ky ka qënë kampionati më i vështirë që kam parë në këto 22 vite. Kam tentuar shumë herë, edhe këtë e humbëm, por deshi fati që ta merrnim. Për mua e meritonin edhe skuadrat e tjera, Partizani, Vllaznia e Laçi”.

Pasi mori drejtimin e klubit në vitin 1999, ai arriti ta nxirrte nga telashet dhe e futi në shina të sigurta, ashtu si dikur Lokomotiva e qytetit. Fitoi trofeun e parë në vitin 2005, Kupën e Shqipërisë pas një finaleje emocionuese përballë Tiranës që si për ironi drejtohej nga njeriu që sot lëviz celësat e Teutës pas kuintave, Sulejman Starova. Një trofe që erdhi vetëm 6 vite pas uljes së tij në stolin e presidentit. Gjithsesi, gjatë viteve pasardhëse Teuta nuk arriti të bënte hapin e madh pavarësisht disa pjesëmarrjeve në kupat europiane, për të kulmuar në 2020-ën e pandemisë ku “Djemtë e Detit” rikthyen Kupën në qytet pas 15 viteve mungesë. Ndoshta nuk arriti të realizonte ëndrrën e tij për të veshur fanellën e Teutës si futbollist profesionist, por puna e bërë me këtë klub është kolosale. Eksoperienca e gjatë e ka ndihmuar që jashtë fushës të jetë një xhentëllmen dhe altruist i vërtetë.  “Për mua, Vllaznia është kampionia morale e këtij kampionati”, ka deklaruar presidenti I durrsakëve.

Deklaratë që e bën më të butë një ambjent të ashpërsuar nga deklaratat, thumbat dhe akuzat e një sezoni të ngarkuar. Edmond Hasanbelliu nuk fiton vetëm titullin por edhe medaljen fair play.

TITULLI I REKORDEVE

Priti plot 27 vite pritje për të fituar titullin e dytë dhe në fund ia doli mbanë. Festa e legjitimuar e një trofeu që erdhi pas 36 javëve sfilitëse të një kalendari të ngjeshur me darën e shtyrë prej bojkotit. Një titull i pazakontë, shkon në qytetin port më të madh të vendit pas një sage të gjatë ulje ngritjesh. Si asnjëherë më parë, cështja e trofeut kryesor nuk ishte vendosur në bazë të golavarazhit dhe ky është një record që tashmë e mban Teuta.

Si askush tjetër, djemtë e detit kanë regjistruar plot 15 barazime, porthuajse 1/3 e ndeshjeve të sezonit dhe vetëm 2 fitore më shumë. Mendësi kampionësh, nëse nuk fiton, lufto që ndeshjen as të mos e humbasësh. E nisi pikërisht me një tjetër record sezonin skuadra e Martinit, plot 6 barazime rretsh që në 6 javët e para cka bëri që skuadra bregdetare të mos shfaqej as në periferitë e radarit titull por me kalimin e javëve, strategjia e shkodranit dha rezultate.

Loje dinamike ne mesfushë dhe mbrojtje dhe shumë cinizëm përpara portës. Dejvi Bregu, sot Këpuca e Artë, arriti të dalëngadalë të prodhonte lojë, gola dhe asiste ndërsa diga e mesfushës nuk lëjoi që mbrojtja të fuste ujë. Në këtë mënyrë, Teuta arriti të vendoste një tjetër record. Vetëm 4 humbje sezonale, njëra prej tyre ndaj Partizanit në javën e 34 por që për fatin e kampionëve, nuk u përkthye në një tragjedi.

Vetëm 42 gola të shënuar, sa për krahasim, Kukësi i vendit të 6 ka realizuar 5 rrjeta më shumë, por sekreti qëndron pikërisht te faza defensive pasi Teuta e ka nxjerrë topin nga rrjeta vetëm 16 herë. Titulli është një ëndërr që mund ta bësh realitet vetëm duke mbrojtur mirë dhe në mënyrë të disiplinuar, është një leksion që vjen nga Italia dhe Martini edhe pse me profesion fillestar sulmues, duket se e gjeti celësin për ta aplikuar me sukses në skuadrën e tij ku garda e të rinjve dhe ajo e veteranëve u kombinuan në mënyrë perfekte.

Dejvi Bregu, Arapi, Krasniqi, dhe deri tek më veterani, Sebino Plaku, i rikthyen buzëqeshjen qytetit port që sezonin e kaluar triumfoi në finalen e kupës por shijen e titullit nuk e provonte që prej vitit të largët 1994. Sezon për t’u vendosur në kornizë. Tashmë Teuta duhet të shikojë përpara drejt një arene edhe më prestigjoze, Ligën e kampioneve.