RTSH Sport Live

Partizani, Daja e ka të qartë: Gjithçka në dorën tonë

  • 20/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Partizani, Daja e ka të qartë: Gjithçka në dorën tonë
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja analizon ndeshjen me Vllazninë, e vlefshme për javën e 35-të të Kategorisë Superiore

Nga “Niko Dovana”, në “Air Albania”, për finale e radhës. Partizani bëhet gati për një tjetër ndeshje të rëndësishme, atë me Vllazninë, e vlefshme për javën e 35-të të Kategorisë Superiore: e premte, ora 17:00. Trajneri I të kuqve, Ilir Daja, e ka të qartë, gjithçka është në dorën e tij dhe të skuadrës që ai drejton, përsa I përket çështjes së titullit. Është në vend të parë, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje, ajo me Vllazninë në shtëpi dhe e fundit në Ballsh me Bylisin.

“Fitorja e fundit me Teutën kishte dy drejtime kryesore: na riktheu në vend të parë dhe arritëm një objektiv, edhe pse nuk kishim vendosur objektiv në fillim të sezonit, që jemi në Europë. Tani kanë ngelur edhe dy finale. Gjendja është e mirë, por nuk do kemi Asanin këtë javë. Do shohim gjendjen e Junior, për të kompozuar më pas formacionin titullar në këtë ndeshje shumë të rëndësishme”.

Çfarë duhet të bëjë Partizani për të marrë fitoren

Përballë kemi një nga katër ekipet pretendente. Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë, ka kryesuar për tri faza. Gjithashtu, ne kemi bërë të njëjtën gjë. Jemi në vend të parë, na duhet ta fitojmë ndeshjen, por e dimë që do të jetë e vështirë, sepse Vllaznia, përveç pikëve që ka grumbulluar, luan një futboll të bukur dhe të hapur. Koeficienti i vështirësisë është i nivelit maksimal, duke llogaritur që janë edhe dy finale në lojë. Nesër duhet të kemi ekuilibër, sepse Vllaznia ndërton një sulm goxha të mirë nga poshtë. Duhet të jemi cinikë, jo si në disa ndeshje të tjera ku nuk i kemi finalizuar rastet e shumta. Duhet të jemi rezultativë përpara portës, pasi çdo minutë që kalon rrit njëfarë tensioni të panevojshëm, por që do të jetë present, pasi është ndeshje finale.

Partizani-Vllaznia, dueli i fundit për titull?

“Partizani është në krye pas suksesit me Teutën. Dëshirojmë të fitojmë me Vllazninë. Është një duel 90-minutësh dhe do të fokusohemi kryesisht te kjo përballje. Të mos harrojmë, është edhe një 90-minutësh tjetër për të mbyllur kampionatin”.

Ndonjë peng deri në këtë fazë të kampionatit…

“Të jem i sinqertë, nuk kam asnjë peng përveç faktit se dua të falenderoj lojtarët për gjithë sakrificat që kanë bërë, sepse në start, siç është deklaruar edhe më parë në media, Partizani nuk ishte në listën e skuadrave pretendente. Deri në këtë moment kemi bërë gjithçka mirë. Peng do të ishte për mua nëse nuk do të finalizonim këto dy ndeshje, por besoj që të gjithë do të bëjmë të pamundurën edhe në një kampionat, ku askush nuk na ka parashikuar si pretendentë”.

Frikë nga aleancat?

“Nuk na duhet të shpërndahemi, e kemi vetë në dorë kampionatin tashmë, nuk varemi nga ndeshjet e rivalëve. Duhet të fokusohemi te ndeshja jonë dhe nuk i druhemi asnjë llojë aleance, sepse në fund fare e kemine  në dorë kampionatin”.

Mungesa e Jasir Asanit?

“Është shënuesi ynë kryesor me 9 gola, por edhe të tjerët aty janë, Çinari edhe Junior, ka shënuar rregullisht i gjithë sulmi. Asani dihet që ka një bagazh shumë të madh teknik. Ajo që ka përmirësuar, sidomos në fazën e katërt, është se i ka shërbyer shumë ekipit edhe në fazën mbrojtëse, duke qenë lojtar që preson lart, bashkë me Çinarin dhe Junior. Do jetë një mungesë e madhe për sulmin, por jo vetëm. Duke qenë se edhe Zhunior është në diskutim, mendoj se do të kishim në stol lojtarë që mund të ndërhynin në çdo moment. Ndërkohë, tani duhet të menaxhojmë situatën me ata lojtarë që kemi në dispozicion, duke llogaritur dy mungesa shumë të rëndësishme. Mbetemi ende në pritje të situatës së Zhunior”.

Mungesa e tifozëve.

“Futbolli në fund fare luhet për tifozët. Dihet që Partizani ka tifozërinë më të madhe në Shqipëri. Gjatë gjithë kohës kanë qenë prezentë, edhe pse nuk lejoheshin. Ne e kemi ndjerë tifozerinë në çdo vend ku kemi luajtur, pavarësisht se nuk kanë qenë brenda, na kanë mbështetur nga jashtë. Natyrisht që do të ishte një mbështetje shumë e madhe prania e tyre në stadium në këtë moment të sezonit”.