RTSH Sport Live

Mourinho, me sytë nga Europiani: Do të vëzhgoj lojtarët e Romës

  • 05/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Mourinho, me sytë nga Europiani: Do të vëzhgoj lojtarët e Romës
Special One do të jetë komentator televiziv për transmetuesit anglezë: "Italia është një ekip i fortë, do të vëzhgojë Cristante, Spinazzola dhe Pellegrini"

José Mourinho po përgatitet për Kampionatin Europian, të cilin do e jetojë si komentator televiziv për transmetuesit anglezë, por mbi të gjitha si trajner i Romës. Special One, në një intervistë për The Sun analizoi cilësitë e ndryshme të ekipeve kombëtare, duke u përqëndruar natyrshëm tek Italia, që do të ketë tre lojtarë të Romës në fushë:

"Padyshim që unë do të përqendrohem më shumë tek lojtarët e mi të Romës: Leonardo Spinazzola, Lorenzo Pellegrini dhe Bryan Cristante. Por Italia është një ekip me një përzierje të mirë lojtarësh, të rinj të talentuar dhe lojtarë më me përvojë. Lojtarët që dinë të fitojnë. Italia është e forte, Roberto Mancini është një trajner me përvojë, i cili ka kaluar më shumë se 20 vjet si trajner në ligat më të mira në botë”.

“Ai është më se i gatshëm, e ka treguar gjatë kualifikueseve. Skuadra është përmirësuar shumë me të. Italia ka lojtarë të talentuar, me njohuri të mira taktike, ata dinë të luajnë në mënyra të ndryshme. Mancini po u jep atyre më shumë cilësi në sulm, por ata nuk e kanë humbur natyrën e tyre dhe dinë të garojnë. Unë mendoj se kjo është cilësia e tyre më e mirë. Është e vështirë të gjesh dobësi, mendoj se ata do të jenë gjithmonë në katër të parët".