RTSH Sport Live

Lazio ndal Juventusin në frymën e fundit

  • 08/11/2020
  • |
  • Futboll Bota
Lazio ndal Juventusin në frymën e fundit

Felipe Caicedo shpëton sërish Lazion në frymën e fundit. Sulmuesi ekuadorian e bën sërish, një javë pas rrjetës fituese të Torinos në kohën shtesë. Këtë herë i shënon një tjetër skuadre torineze në frymën e fundit, Juventusit, ndersa Lazio u rrëmben kampionëve të Italisë një barazim shumë të rëndësishëm në një moment jo shumë pozitiv. Një top i humbur nga Dybala në minutën e 4 shtesë dhe më pas Correa përfiton për t’i dhuruar një asist sulmuesit të Lazios, i cili e ndali topin në rrjetë duke fshirë në njëfarë mënyre edhe paraqitjen e dobët të Vedat Murriqit, të cilin e zëvendësoi në pjesën e dytë. 2 pikë të humbura për Andrea Pirlon dhe Juventusin pas golit të shënuar nga Cristiano Ronaldo në pjesën e parë por ky nuk është i vetmi lajm negativ në kampin e “Zonjës së vjetër”. Fituesi i 5 topave të artë la fushën e lojës në pjesën e dytë për shkak të një problemi në kavilje duke ndezur sinjalin e alarmit në kampin juventin edhe pse tashmë ka ardhur momenti i pushimit të kombëtareve. Ndeshja e luajtur në orën 12:30 reflektoi ndryshime të mëdha në sjelljen e skuadrës torineze që zgjodhi të kundërsulmonte, duke preferuar të ruante avantazhin ndaj Lazios pa tre lojtarë të rëndësishëm në formacion, Strakoshën, Lucas Leivan dhe Immobilen, që të tre të lënë jashtë për shkak të cështjes së tamponëve pozitivë.