RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë/Skënderbeu-Vllaznia, dy ekstreme për një trofe

  • 31/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa e Shqipërisë/Skënderbeu-Vllaznia, dy ekstreme për një trofe
Korcarët edhe shkodranët do të diskutojnë mes tyre trofeun e Kupës, dy skuadrat që në këtë sezon kanë “luftuar” në ekstreme: njëra për mbijetesë, tjetra për titull

Finalja e edicionit të 69-të të Kupës së Shqipërisë do të zbresë sot në “Air Albania”, ora 19:00, ku Skënderbeu dhe Vllaznia do të diskutojnë mes tyre trofeun. Dy skuadra me histori, por që në këtë sezon janë cilësuar dhe si surpriza, për atë që kanë bërë.

Korcarët në fakt, pas dy fazave të para në agoni, kanë arritur të sigurojnë mbijetesën nën drejtimin e trajnerit Migen Memelli. Një punë e madhe, nëse i referohemi dhe konkurencës së krijuar, nga fillimi në fund.

Nëse Skënderbeu ka luftuar në zonën e ftohtë, krejt e kundërta për Vllazninë, e cila më shumë se asnjë skuadër tjetër ka udhëhequr kampionatin, është dorëzuar në fund vetëm falë një golavarazhi më të dobët se Teuta kampione. Gjithsesi, askush nuk e priste që kuqeblutë të ishin në këto nivele dhe me të drejtë është cilësuar dhe si “kampione morale” e këtij edicioni.

Skënderbeu dhe Vllaznia, dy ekstreme të sezonit, tani do të përballen në finale e Kupës, për të dhënë verdiktin e fundit të një sezoni, sa të mbingarkuar po dhe aq emocionues, për konkurencën që ka treguar. Kjo është hera e dytë që këto dy skuadra përballen në një finale të tillë dhe ndodh pas 56 vitesh. Herën e parë finalja është fituar nga shkodranët me rezultatin 1-0(1965).