RTSH Sport Live

Kategoria Superiore jep verdiktet përfundimtare

  • 26/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Kategoria Superiore jep verdiktet përfundimtare
Teuta e mbylli sezonin në vend të parë, Vllaznia, Partizani e Laçi siguruan biletën për në Europë, ndërsa Bylisi vulosi rikthimin në Kategorinë e Parë. Kastrioti, në play out

Fundmaji i nxehtë i vitit 2021 kulmoi me pesë sfidat e fundit të Kategorisë Superiore, që hoqën përfundimisht dhe zyrtarisht të gjitha pikëpyetjet për çështjet e mbetura pezull në Kategorinë Superiore. Teuta e mbylli sezonin në vend të parë, Vllaznia, Partizani e Laçi siguruan biletën për në Europë, ndërsa Bylisi vulosi rikthimin në Kategorinë e Parë, duke ia pasuar Kastriotit përballjen e play off me Tomorin.

Duele interesante në pesë fusha të ndryshme, ku titulli u diskutua në aksin Shkodër-Durrës-Ballsh. Suksesi i Teutës, 6-1 ndaj Apolonisë, prishi planet e Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Skuadra e Tomas Brdaric kaloi pastër 2-0 Laçin, por kjo është një fitore e pamjaftueshme në golavarazh për të rivalizuar Teutën në krye të klasifikimit, që e nisi javën e fundit me një gol më shumë se shkodranët.

E mbyll në vendin e tretë Partizani, që u imponua 4-2 në Ballsh, duke zhytur Bylisin. Të kuqtë, edhe pse me shpresa minimale, arritën të thyenin mallakastriotët, që u shfaqën pa dëshirë dhe u dekurajuan më shumë nga fitorja që po vinte nga “Elbasan Arena”, ku Kastrioti dhe Kukësi kishin në këmbët e tyre fatin e betejës së mbijetesës. Në këtë mënyrë, fitorja e Partizanit ka thjesht vlerë morale, ndërsa Bylisi dorëzohet pas një sezoni me ulje e ngritje.

Në përballjen mes Kukësit dhe Kastriotit, krutanët përfituan nga problemet e mëdha që po kalojnë verilindorët, duke regjistruar një fitore që vlen sa një sezon. 2-1 e mbylli 90 minutëshin skuadra e Ndreut që duhet të luajë tashmë edhe një sfidë shumë të rëndësishme, përballjen me Tomorin.

Ndeshje me vlerë statistikore ishte ajo mes Tiranës dhe Skënderbeut, që u mbyll në favor të bardhebluve me rezultatin 3-1. Sezon zhgënjyes për kampionët ndërsa Skënderbeu zbriti në fushë me shumë lojtarë të rinj pasi koka e korçarëve qëndron në finalen e Kupës së Shqipërisë.