RTSH Sport Live

Kane shënon në limite, Tottenham ruan ritmin, Leicester kap vendin e parë

  • 08/11/2020
  • |
  • Futboll Bota
Kane shënon në limite, Tottenham ruan ritmin, Leicester kap vendin e parë

Tottenham ka vuajtur shumë, por në fund arrin të imponohet në fushën e West Bromwich: Harry Kane u ka dhuruar Spurs një fitore 1-0 të arritur në minutën e 88-të. Tri pikë me shumë vlerë për të besuarit e trajnerit Mourinho, të cilët edhe në këtë javë kanë arritur të mbajnë hapin e një skuadre pretendente. Pjesa e parë ishte më e mirë për të zotët e shtëpisë, të cilët krijuan disa raste për shënim, por pa arritur të finalizojnë si duhet. Tottenham arriti të gjejë ritmin e duhur vetëm në gjysmën e pjesëssë dytë dhe në fundin e takimit u shpërblye dhe me golin e fitores.

Vazhdon të surprizojë Leicester, që edhe në këtë javë të Premier League ka arritur të marrë tri pikë, njëkohësisht duke ruajtur dhe ritmin e një skuadre pretendente. Përballë Wolves gjithçka është vendosur në pjesën e parë nga një gol i Vardy, i shënuar nga pika e 11-metërshit. Sulmuesi anglez ka patur dhe një tjetër mundësi të artë për të shënuar, po nga pika e 11-metërshit, por kësaj radhe goditja e tij është pritur nga portiere i Wolves. Gjithsesi, Leicester ka marrë tri pikët e radhës duke u ngjitur në kuotën e 18 pikëve, vendi i parë në klasifikim, duke pritur se çfarë do të ndodhë në sfidën mes City e Liverpool.