RTSH Sport Live

Hungaria, Dominik Szoboszlai do të mungojë në Europian

  • 02/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Hungaria, Dominik Szoboszlai do të mungojë në Europian
"Nuk është në gjendje të mirë fizike, madje nuk mund të luajë as për disa minuta si zëvendësues”

Lojtari hungarez, Dominik Szoboszlai, për shkak të një dëmtimi të përsëritur në ije, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Euro 2020. Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i ekipit kombëtar Marco Rossi. Kjo mungesë është një penalizim për Hungarinë, kundërshtarin e ardhshëm të ekipit të Francës.

"Ai nuk është në gjendje të mirë fizike, madje nuk mund të luajë as për disa minuta si zëvendësues” - tha trajneri italian, pasi ka shpallur listën përfundimtare të 26 lojtarëve, nga qendra e grumbullimit afër Salzburgut në Austri. Ai tha se ky është një vendim "i dhimbshëm", pasi Hungaria mbështetej fort te mesfushori i saj 20-vjeçar, një yll në rritje të cilit i detyron edhe kualifikimin në Euro 2020.

Ndërsa tani do t’i duhet të bëjë pa lojtarin e saj kryesor, në një grup tepër të vështirë, ku do të përballet me Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë. Një nga 11 vendet pritëse të turneut, Hungaria, përballet me Portugalinë më 15 qershor, Francën më 19 qershor dhe Gjermaninë më 23 qershor.

I përshkruar nga revista gjermane Kicker si lojtari që dëshirohet nga gjithë Evropa, Dominik Szoboszlai nënshkroi në janar me klubin gjerman RB Leipzig për 20 milion euro, një shumë rekord për një lojtar hungarez. Por ai nuk ka qenë në gjendje të luajë që nga transferimi i tij për shkak të dëmtimeve.