RTSH Sport Live

Futboll Femra/Vllaznia fiton Kupën në tavolinë

  • 02/06/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Futboll Femra/Vllaznia fiton Kupën në tavolinë
Apolonia, si skuadër finaliste e Kupës, nuk është paraqitur në finale në shenjë proteste

Kupa në Shkodër, tashmë e ka bërë rrugë. Pas skuadrës së parë dhe asaj U19 për meshkuj, sot ishte radha e skuadrës së femrave në futboll që të festonte në “Air Albania” fitimin e këtij trofeu. Në fakt, ishte një fitore në tavolinë për vajzat shkodrane, pasi skuadra tjetër finaliste, Apolonia nuk u paraqit.

Vajzat fierake kanë protestuar sipas mënyrës së tyre për faktin se FSHF nuk ka marrë në konsideratë një kërkesë të tyre. Bëhet fjalë për dy lojtare të dënuara javë më parë në ndeshjen me Juban Danjan, ndërsa ishte kërkuar që të faleshin dhe të ishin të pranishme në sfidën e sotme.

Gjithsesi, kjo kërkesë e tyre nuk ka marrë miratimin e qeverisë së futbollit dhe në orën 18:00(orari i finales) është paraqitur vetëm skuadra e Vllaznisë. Pasi është respektuar rregullorja, në fund vajzat kuqeblu kanë ngritur trofeun pa luajtur. Një fitore në tavolinë, për të dërguar një tjetër trofe në qytetin e Shkodrës.