RTSH Sport Live

FUTBOLL/Butrinti e Labëria, finalistët e Play Off

  • 28/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
FUTBOLL/Butrinti e Labëria, finalistët e Play Off
Nis faza më e nxehtë e futbollit shqiptar për Kategorinë e Parë dhe të Dytë

Futbolli shqiptar tanimë ka hyrë në fazën e tij më të nxehtë, teksa bëhet fjalë për Play-off e Play-out, atje ku do të mund të zyrtarizohen ekipet që do të vijnë një kategori më lart e që do të zbresin më poshtë. Bëhet fjalë kryesisht për Kategorinë e Parë e të Dytë. E të enjten pasdite, Butrinti dhe Labëria kanë fituar të drejtën e finales së Play-off për grupin B të Kategorisë së Dytë.

Sarandiotët, pamjet e së cilës po ndiqni dhe në këtë kronikë, kanë mundur me shumë vështirësi në fushën e tyre Naftëtarin. Kjo falë golit të Llojit në të 80’. Me të njëjtin rezultat, 1-0, Labëria mundi Devollin. E tanimë Butrinti – Labëria dhe Sopoti – Tërbuni, ky çift është i grupit A të Kategorisë së Dytë, presin datën e zhvillimit të ndeshjes, si dhe fushën ku do të mund të luhet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Sipas komunikimit të RTSH Sport me sektorin e garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Sopoti – Tërbuni mund të luhet të dielën, sikurse të shtunën Butrinti – Labëria. Ndërkohë mbi bazën e formulës e shtata e grupit A të Play-out të Kategorisë së Parë, që është Oriku, luan me fituesen e çiftit Butrinti – Labëria. Kurse e shtata e grupit B, që është Flamurtari, me fituesen e çiftit Sopoti – Tërbuni.

Për këto ndeshje ende nuk ka një datë të konfirmuar. Sakaq të premten në ora 16:00 në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, Shënkolli do të përballet me Memaliajn, atje ku fituesja siguron qëndrimin në Kategorinë e Dytë, ndërsa humbësja do të duhet të luajë me Osumin, që është renditur në vendin e tretë në Kategorinë e Tretë.

Ndërkohë të shtunën në “Elbasan Arena” do të luhet finalja e Kategorisë së Dytë për titull kampion, Shkumbini – Maliqi, kurse të dielën në Kamëz, Kastrioti do të luajë me Tomorin për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Kjo është faza intensive e futbollit shqiptar.