RTSH Sport Live

Euro 2023: Kombëtarja U21 e nis me këmbën e mbarë

  • 04/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Euro 2023: Kombëtarja U21 e nis me këmbën e mbarë
Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi ka arritur një fitore 3-0 në transfertë përballë Andorrës

Përfaqësuesja kuqezi e 21-vjeçarëve e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023, duke marrë një fitore 3-0 në stadiumin “Andorra la Vella” përballë Andorrës. Një paraqitje e mirë e të besuarve të trajnerit Alban Bushi, të cilët pasi kanë testuar agresivitetin e kundërshtarit në startin e takimit, kanë arritur të kontrollojnë gjithçka dhe të marrin tri pikët.

Pas minutës së 10-të, Shqipëria është shfaqur tepër kërkuese, ndërsa ka konkretizuar në minutën e 17-të me anë të Aarmando Brojës, i cili me shpërthimin e tij ka djegur kundërshtarët dhe ka gjetur rrugën e rrjetës.

Dominimi absolute i kuqezinjve do të konkretizohet me golin e dytë në fundin e pjesës së parë, teksa Mehmeti do të finalizojë penalltinë e fituar nga Dobra, 2-0, rezultat që mbyll dhe pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, pavarësisht avantazhit, kuqezinjtë nuk heqin dorë nga loja sulmuese dhe në minutën e 62-të arrijnë të gjejnë dhe golin e tretë. Në fakt është një autogol i shënuar nga  Iker. Talenti i Dinamos së Zagrebit, Karrica provon të asistojë për Brojën, por mbrojtësi i Andorrës, në tentativë për të larguar rrezikun, ka shënuar në portën e tij, 3-0.

Në minutat në vazhdim rastet nuk mungojnë, por vlen të theksohet dhe menaxhimi i mirë që i bëhet avantazhit të trefishtë dhe përfundimi është: fitore 3-0, tri pikë në ndeshjen e parë, në Grupin G. Kuqezinjtë do të zbresin përsëri në fushë, të mërkurën, për miqësoren me Bullgarinë, ndërsa në kualifikuese do të kthehen në 2 shtator, në transfertën me Republikën Çeke.