RTSH Sport Live

EURO 2020, rregullat në stadiume

  • 04/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
EURO 2020, rregullat në stadiume
Do të zbatohen me rreptësi masat kundër Covid-19

Stadiumet ku do të luhen finalet e Euro 2020, do të mbushen me tifozë deri në 30% të kapacitetit të tyre. Kështu ka vendosur UEFa, duke gëzuar pa masë tifozët dhe vetë futbollistët që kanë nevojë të dëgjojnë brohorimat mbështetëse të tifozëve të tyre. Por të gjitha bashkitë e qyteteve ku do të luhen ndeshjet, kanë vendosur që të zbatojnë një protokoll të rreptë të masave kundër Covid-19.

Stadiumet do të jenë të ndara me ngjyra të veçanta, në bazë të kategorisë së tifozëve, dhe mënyrës së hyrjes nëpër impiantet përkatëse. Këto janë të rejat e fundit që vijnë nga vendet organizatore të Euro 2020, përsa i përket prezencës së publikut në këtë manifestim të rëndësishëm ku do të përfaqësohen kombëtaret e tyre.

Rregullat do të fillojnë që në hyrje të stadiumeve, ku do të jetë e detyrueshme të mbajnë distancën e ditur tashmë, 1.5 deri në 2 metra larg njërit-tjetrit. Vendet ku do të qëndrojnë tifiozët do të jenë të piketuara. E detyrueshme do të jetë mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës së qëndrimit në stadium, deri në përfundim të ndeshjes, kur tifozët do të dalin nga stadiumi.

Ngjyrat në stadium do të përcaktojnë vendin ku do të qëndrojnë tifozët, si dhe grupet e punës që do të merren me mbarëvajtjen dhe zbatimin e rregullave kundër Covid-19.