RTSH Sport Live

Edi Reja: Luajtëm mirë në pjesën e parë, por…

  • 05/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Edi Reja: Luajtëm mirë në pjesën e parë, por…
Trajneri Edi Reja ka komentuar paraqitjen e të tijve në miqësoren e barazuar 0-0 me Uellsin

Shqipëria ka barazuar 0-0 në miqësoren e luajtur në Kardif përballë Uellsit, rezultat jo i keq përballë një kundërshtari të tillë. Kuqezinjtë u shfaqën një skuadërs solide në mbrojtje, por e ndrojtur në sulm. “Mungoi shpejtësia dhe saktësia në fazën sulmuese”, do të pranonte pas ndeshjes trajneri Reja, i cili ka analizuar paraqitjen e të tijve në këtë sfidë.

“Më pëlqeu skuadra. Luajtëm mirë në pjesën e parë, por vuajtëm në fazën sulmuese. Uellsi na vuri në vështirësi në pjesën e dytë, aktivizoi një sulmues shumë të fortë dhe luajti me topa të gjatë. Është një skuadër shumë e fortë”.

“U paraqitëm shumë mirë në fazën mbrojtëse, por duhet të tregohemi më të shpejtë dhe më të saktë në fazën sulmuese. Kur kundërshtarët bëjnë presin dhe prishin ekuilibrat, ne duhet ti godasim. Duhet të tregoheshim më të aftë në kundërsulm gjatë pjesës së dytë. Gjithsesi, paraqitja mbetet pozitive”.

“Sulmuesit më pëlqyen të gjithë. Seferi kishte pak hapësirë, por luftoi shumë. Manaj është i zoti me topin, është një nga sulmuesit më të mirë që kemi. Edhe Balaj luajti mirë në pjesën e parë. Në përgjithësi më pëlqyen të gjithë”.

“Dua të përmend portierin Selmani, i cili ishte debutues por bëri një paraqitje shumë të mirë. Një lojtar që mund të na shërbejë në të ardhmen, në topat në ajër ishte shumë mirë”.

“Nga ana taktike, të gjithë mbrojtësit u paraqitën mirë. Sigurisht që mund të kemi bërë dhe ndonjë gabim të vogël, por e përgjithshmja ishte pozitive. Nuk duhet të harrojmë se kishim përballë lojtarë shumë të fortë, vuajtëm kundërsulmin e tyre”.