RTSH Sport Live

Durrës-Shkodër-Ballsh, trekëndëshi i titullit

  • 24/05/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Durrës-Shkodër-Ballsh, trekëndëshi i titullit
FSHF ka zbuluar axhendën për festën e titullit, ceremonia është gati në tre stadium

Durrës-Shkodër-Balsh, kush më shumë e kush më pak, të gjithë në pritje të festës së titullit. Në “Niko Dovana” Teuta është ndjeshëm e avantazhuar, aq më tepër që përballë do të ketë një skuadër si Apolonia, jashtë cdo llojë objektivi.

Nuk ka se si të mos besojnë edhe në “Loro Borici”, ku Vllazninë e ndan vetëm një gol nga durrsakët, por që përballë do të ketë një kundërshtar me pretendime sic është skuadra e Lacit.

Matematika mban në lojë edhe Partizanin, por do të duhej një mrekulli që titulli të mbërrinte në duart e të kuqve, aq më tepër përballë një Ballshi që shpreson te mbijetesa në këtë ndeshje të fundit, ku vetëm tri pikët do të bënin punë, gjithmonë nëse gabon Kastrioti.

Llogari, që e kanë detyruar FSHF në të mendojë për ceremoni në tre stadium, pasi llogariten katër skuadra në garë për titull: Teuta, Vllaznia, Laci e Partizani.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar dhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, online, ku është diskutuar pikërisht për ceremoninë e titullit. Në njoftimin e publikuar në faqen e FSHF-së, thuhet:

U zhvillua ditën e sotme mbledhja online e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit, nën drejtimin e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me ceremoninë e dorëzimit të titullit kampion për sezonin 2020-2021 në Kategorinë Superiore.

Duke parë se 90 minuta përpara fundit të sezonit në garë për titullin kampion janë katër skuadra, Komiteti Ekzekutiv vendosi organizimin e 3 ceremonive, në Ballsh, Durrës dhe Shkodër. Në të tre qytetet do të jetë trofeu i kampionit, zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që Presidenti Duka i cili do të dorëzojë trofeun, do të udhëtojë drejt stadiumit ku do të dorëzohet titulli menjëherë pas përfundimit të lojës së rregullt.

Komiteti Ekzekutiv miratoi gjithashtu të gjithë materialet për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, që do të zhvillohet online përmes platformës Microsoft Team, në datë 14 qershor, duke filluar nga ora 10:00.