RTSH Sport Live

Çinari largohet nga Partizani: Nis një kapitull i ri

  • 03/06/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Çinari largohet nga Partizani: Nis një kapitull i ri
Sulmuesi shkodran ka braktisur të kuqtë për të vazhduar karrierën në Turqi, në radhët e Samsunspor

Tashmë është zyrtare, Erald Çinari është larguar përfundimisht nga skuadra e Partizanit, për të provuar një aventurë të re në kampionatin turk, në radhët e Samsunspor. Sulmuesi shkodran ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me skuadrën turke, me të drejtë rinovimi dhe për një vit tjetër.

Prej ditësh në kampin e kuq qarkullonin zërat për largimin e sulmuesit nga skuadra e kuqe, ndërsa sot gjithçka është zyrtarizuar. Në fillim ishte klubi turk që konfirmoi bblerjen e sulmuesit, për tu shoqëruar më pas nga një postim në Instagram i shkodranit, duke falenderuar stafin dhe shokët e skuadrës.

Postimi i Çinarit:

Sot ishte një ditë që solli një kapitull të ri në karrierën time futbollistike. Nga dita e sotme, unë nuk do jem më pjesë e klubit të futbollit Partizani. Kontrata ime me klubin përfundoi në fund të këtij sezoni dhe unë tashmë jam duke përgatitur një aventurë të re. Falënderoj të gjithë në familjen Partizani, duke filluar nga presidenti e drejtori që më kanë qëndruar afër si në momente pozitive e po ashtu negative.

Trajnerët me të cilët kam punuar këto 3 vite. E po ashtu shokët e skuadrës, si edhe gjithë stafin që punon tek kjo familje. Një falënderim special shkon për tifozët e kuq e sidomos Ultras Guerrils. Ishin 3 vite të mrekullueshme ku edhe fitova trofe.