RTSH Sport Live

Butrinti, rikthim historik në Kategorinë e Parë

  • 05/06/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Butrinti, rikthim historik në Kategorinë e Parë
Mario Gurma i jep fitoren sarandiotëve në finalen ndaj Orikut në “Selman Stërmasi”

Butrinti rikthehet në Kategorinë e Parë pas pesë vitesh mungesë. Historike për futbollit e qytetit bregdetar të Sarandës, ndërsa Mario Gurma është heroi i kësaj skuadre. Goli i tij vlejti shumë përballë Orikut në atë finale të luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Oriku ka rrezikuar që në të 2’ me Branicën, por duket se ka qenë vetëm një shkëndijë, sepse më pas frenat e lojës i merr në dorë Butrinti. Kundërsulmet e shpejta, që nisin nga braziliani Hugo, prodhojnë dhe rastet e rrezikshme. Në të 19’ Mario Gurma paralajmëron golin me atë goditje të shtyllës së djathtë pingule të portës së Orikut.

Dhe tre minuta më vonë, Gurma shfrytëzon maksimalisht një top të ardhur nga Hugo, teksa e ka dërguar sferën në krahun e majtë të Muhos. Madje Kolonja mund dhe duhet t’i kishte dhënë qetësinë Butrintit, veçse i vetëm përballë Muhos bën më të vështirën duke e dërguar topin mbi traun e portës së Orikut në të 27’.

Oriku tenton me Qejvanin në të 30’, Nurçen në të 37’ dhe Dushin në minutën e dytë shtesë, por shënjestra nuk është e duhura. Në pjesën e dytë Butrinti është i rreshtuar me forca të shumta në mbrojtje, ndërsa e gjithë iniciativa sulmuese është e Orikut. Ka provuar Dushi në të 58’, por vetëm goditje këndi. Branica ka momentet e tij në të 81’ dhe në të 82’ e përsëri pa rezultat.

Të njëjtin fat ka patur dhe Capoji në të 86’, kurse Butrinti ka pretenduar për penallti në të 76’, kjo pas prekjes së topit me dorë nga njëri prej futbollistëve të Orikut pas goditjes së Hugos. Por për Stolajn gjithçka e rregullt. Dhe përfundimisht, Butrinti në Kategorinë e Parë me tre fitore minimale 1-0. Fillimisht ndaj Naftëtarit e Labërisë dhe tani dhe Orikut e festa është e gjitha e sarandiotëve.

Të dielën në “Elbasan Arena” do të luhet sfida tjetër për të përcaktuar skuadrën që do të jetë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë mes Tërbunit e Flamurtarit.