RTSH Sport Live

Shqipëria U21, pesë mungesa ndaj Andorrës

  • 02/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U21, pesë mungesa ndaj Andorrës
Pas Muçit, Çepeles e Çelhakës, nuk janë pjesë e kuqezinjve dhe Halili e Asllanaj

Kombëtarja e Shqipërisë për moshën deri në 21 vjeç, e cila drejtohet nga Alban Bushi, të mërkurën ka udhëtuar drejt Andorrës, atje ku të premten në ora 18:00 do të zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Europian 2023. Në këtë ndeshje, kuqezinjtë e vegjël do të jenë me pesë mungesa. Më parë nuk ka ardhur nga Legia e Varshavës, Ernest Muçi.

Më pas për shkak dëmtimi kanë lënë grumbullimin Çepele e Çelhaka e tanimë, po për të njëjtën arsye, nuk ka udhëtuar me grupin Drin Halili, i cili luan me skuadrën e dytë të Shturm Gracit. Po kështu nuk ka ardhur as futbollisti i Empolit, Kristian Asllanaj.

E megjithatë kuqezinjtë kanë ditë që përgatiten për këtë sfidë, ndërsa kërkojnë pikët maksimale. Sipas programit, Shqipëria U-21 të mërkurën ka bërë stërvitje në ora 20:00 në qendrën stërvitore të Barcelonës, atje ku është stërvitur dhe kombëtarja e madhe, e cila më 25 mars, në kuadrin e kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, mundi Andorrën 1-0.

Të enjten, në orarin e ndeshjes, Shqipëria U-21 do të zhvillojë stërvitje në “Estadi Nacional” të La Velës, ku dhe do të luhet ndeshja të premten. Ndeshja do të gjykohet nga një katërshe bjelloruse me kryesor Amine Kurgeli, asistentë të tij Juri Komshenko dhe Viktar Hetsikau, ndërsa arbitër i katërt Denis Sherbakov.

Sakaq kuqezinjtë kanë bërë dhe tamponët, ndërsa kanë dalë të gjithë negativ. Që do të thotë se janë gati për sfidën ndaj Andorrës, ndërsa më 8 qershor do të kenë një tjetër test, këtë herë miqësor, ndaj Bullgarisë në transfertë.