RTSH Sport Live

Kombëtarja U21, Çepele e Çelhaka braktisin grumbullimin

  • 01/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U21, Çepele e Çelhaka braktisin grumbullimin
Dy lojtarët nuk do të udhëtojnë me skuadrën, për ndeshjen me Andorrën dhe Bullgarinë, për shkak të problemeve fizike

Përfaqësuesja e 21-vjeçarëve, që drejtohet nga Alban Bushi ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, me Andorrën dhe Bullgarinë. Sipas lajmeve që vijnë nga zyra e shtypit pranë FSHF-së, lista e skuadrës ka ndryshuar përsëri. Ramën Çepele nuk do të udhëtojë me skuadrën për këto dy ndeshje për shkak të problemeve fizike.

Një monitorim i vazhdueshëm i stafit mjekësor dhe në fund është arritur në konkluzionin se lojtari nuk mund të jetë i gatshëm për këto dy sfida. Të njëjtin fat ka patur dhe Çelhaka, i cili është detyruar të braktisë grumbullimin, ashtu si Çepele, për shkak të problemeve fizike.

Trajneri Bushi, ka bërë lëvizjen e radhës, duke thirrur në grumbullim futbollistin e Teutës, Ledio Beqja, i cili është vënë nën urdhërat e trajnerit gjatë ditës së sotme duke nisur përgatitjet për dy sfidat.

Kombëtarja U21 do të luajë ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian në transfertë ndaj Andorras, më 4 qershor ndërsa katër ditë më vonë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë, po në transfertë.