RTSH Sport Live

Kombëtarja, Endri Çekiçi: Miqësoret, test i rëndësishëm

  • 28/05/2021
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja, Endri Çekiçi: Miqësoret, test i rëndësishëm
“Uellsi dhe Çekia, thuajse një nivel me Hungarinë dhe Poloninë dhe ne duhet të shikojmë veten se ku jemi”

Bashkë me Bekim Balajn, në konferencë për shtyp të kuqezinjve është paraqitur edhe mesfushori, Endri Çekiçi. Një analizë për dy ndeshjet miqësore, të cilat sipas tij do të shërbejnë skuadrës për të bërë riparimet e nevojshme. Ndërkohë, nuk ka munguar dhe komenti për sezonin e kaluar në kampionatin turk, në radhët e Ankaragucu.

“Pa dyshim që më ka ndihmuar shumë ky sezon i parë në kampionatin turk pasi është një kampionat akoma më i fortë nga ato që unë kam luajtur më përpara. Por besoj se akoma edhe më shumë më ka ndihmuar të rritem në aspektin personal”.

“Gjatë gjithë sezonit, tek ekipi aktual unë luaja mesfushor qendre ose numër 10 kështu që besoj se edhe në Kombëtare, te treshja e mesfushës e gjej veten më mire”.

“Test për t’u afirmuar si lojtar i Kombëtares? Ky është qëllimi im. Në momentin që do më jepet mundësia, do të jap maksimumin që ta bind trajnerin që jam këtu për të ndihmuar ekipin”.

“Ndeshjet e marsit? Ju thatë që ishin ndeshje me dy fytyra, por në fund ne bëmë detyrën tonë. Pritshmëritë i plotësuam, morëm 6 pikë në ato tre ndeshje, kështu që besoj se notën duhet ta japim pas këtyre dy ndeshjeve me kundërshtarët tanë direktë”.

“Miqësoret? Edhe lojtarët e Uellsit dhe ata të Çekisë, pavarësisht se po përgatiten për Europian, vijnë pas një sezoni të gjatë si ne. Ata janë thuajse një nivel me Hungarinë dhe Poloninë dhe ne duhet të shikojmë veten se ku jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë deri në momentin që do vijnë ato dy ndeshje”.

“Ne nuk nënvlerësojmë asnjë ekip, as ekipet që fituam ndeshjet e kaluara nuk i nënvlerësuam, kështu që kurrsesi nuk mund të nënvlerësojmë Hungarinë edhe Poloninë. Në këto ndeshje, pavarësisht rezultatit ne do japim maksimumin, që edhe në qoftë se diçka nuk shkon mirë, ta përmirësojmë kur në lojë të jenë pikët”.

“Kur kam folur me trajnerin, ai më ka shpjeguar pak a shumë pozicionin që do nga mua, kështu që unë shpresoj ta ndihmoj ekipin dhe këtë ta tregoj në fushën e lojës”.

“Ndihem mirë në Turqi, por futbollit nuk i dihet. Është merkato, kështu që mbetet të shohim”.